III. RRUGËTIMI I PROCESEVE GJYQËSORE

Ky kapitull prezanton në mënyrë skematike rrugën që ndjek një çështje që në momentin e ndodhjes së ngjarjes, në rastin e ngjarjeve penale, ose që në momentin e regjistrimit të një kërkese për gjykim në rastin e gjykimeve me natyrë civile dhe administrative, deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Ai është i ndarë në katër nënkapituj; kapitulli parë ndjek rrugëtimin e një çështje civile, i dyti atë të një çështje penale, i treti çështjet administrative dhe nënkapitulli i katërt procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

3.1. RRUGA QË NDJEK ÇËSHTJA CIVILE

Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile[i] . Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet gjykatës nga një person fizik ose juridik.

Të investosh gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë.

Personi që i drejtohet gjykatës quhet paditës. Personi i cili pretendohet se ka shkelur ose cenuar të drejtën e paditësit quhet i paditur.

Gjatë gjykimeve civile palë mund të jenë edhe persona të ndryshëm nga paditësi dhe i padituri që quhen persona të tretë ose persona të interesuar. Kjo palë ka të njëjtat të drejta procedurale me dy palët kryesore në një procedurë gjyqësore, por me ndryshimin se vendimi i gjykatës nuk ka efekt detyrues për këtë palë. Roli i kësaj pale është të ndihmojë procesin dhe zgjidhjen e konfliktit duke u bërë mbështetëse e njërës palë ose tjetrës, përveç rastit kur pala e tretë pretendon një të drejtë vetë dhe në këtë rast ajo ngre padi si ndërhyrës kryesor. Pala e tretë mund të bëhet pjesë e procesit nëpërmjet thirrjes si e tillë nga vetë palët ndërgjyqëse, por nëse e çmon të nevojshme kjo palë thirret edhe nga vetë gjykata.

3.1.1. Procesi gjyqësor civil

Me regjistrimin e çështjes nga sekretaria e gjykatës, ajo hidhet në short, i cili realizohet me mjete elektronike, për trupën gjyqësore e cila do të gjykojë çështjen.

Kancelari i gjykatës mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.

Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që mund të ketë cenuar apo shkelur të drejtën.

Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit.

Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim.

Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal, siç është shpjeguar në seksionin mbi administratën gjyqësore të këtij manuali.

Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve.

Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor civil, gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Gjykata pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato, si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi merr vendim me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj.

Në përfundim të procesit gjykata vendos në një nga mënyrat:

  • a) të pranojë kërkesë padinë;
  • b) të pranojë pjesërisht kërkesë padinë dhe të rrëzojë pjesën tjetër;
  • c) të rrëzojë kërkesë padinë;
  • d) të vendosë pushimin e gjykimit.

Palët që nuk janë kënaqur nga vendimi i gjykatës kanë të drejtën e ankimit ndaj tij. E drejta për ankim mund të ushtrohet edhe për vendime të ndërmjetme të gjykatës të dhëna gjatë procesit gjyqësor, pa e zgjidhur konfliktin në themel.

Nëse nuk ushtrohet e drejta e ankimit brenda afatit ligjor, vendimi i Gjykatës së shkallës së parë bëhet i formës së prerë dhe si i tillë është i ekzekutueshëm. Kodi i Procedurës Civile lejon mundësinë e kundërshtimit të procesit të ekzekutimit të detyrueshëm, duke parashikuar mjetet mbrojtëse kundër ekzekutimit të vendimit të formës së prerë (i) me kërkesën për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv (neni 609 i K.Pr.Civile [ii] ); (ii) me kërkesën për kundërshtim veprimesh përmbarimore (neni 610 i K.Pr.Civile [iii] ); (iii) me padinë për kërkimin e sendit nga personi i tretë (neni 612 i K.Pr.Civile [iv]).

Për procesin e ekzekutimit do të flasim më poshtë, në nënkapitullin 3.4 “Ekzekutimi i Vendimeve”.

3.1.2. Ankimi kundër një vendimi civil

Kundër vendimeve të gjykatave në fushën civile janë parashikuar disa mjete ligjore mbrojtjeje. Ato janë:

  • • Ankimi në Gjykatën e Apelit;
  • • Rekursi në Gjykatën e Lartë;
  • • Kërkesa për rishikim në Gjykatën e Lartë.

Ankimi në Gjykatën e Apelit

Afati i ankimit në Gjykatën e Apelit kundër vendimeve përfundimtare të Gjykatës së Rrethit është 15 ditë, kurse afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit është 30 ditë. Këto afate janë të prera dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes të vendimit përfundimtar, kur palët janë prezent. Kur çështja është gjykuar në mungesë të njërës palë, ky akt fillon nga dita e njoftimit të vendimit. Afatet e ankimit ndaj vendimeve të ndërmjetme janë 5 ditë.

Ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të çështjes mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile. Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht Gjykata e Apelit mund të përsëritë tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.

Gjykata e Apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

  • a) Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;
  • b) Ndryshimin e vendimit;
  • c) Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;
  • d) Prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e rrethit.

Rekursi në Gjykatën e Lartë

Rekursi, si një nga mjetet e ankimit, është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose të Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë.

Mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë vendimet vetëm kur:

  • a) Është zbatuar gabim ligji material ose procedural i një rëndësie themelore për njehsimin, sigurinë ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
  • b) Vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjit Civil ose praktika e njehsuar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
  • c) Për shkelje të rënda të normave procedurale me pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit.

Nëse rekursi nuk është ngritur për shkaqet e mësipërme, Gjykata e Lartë vendos mospranimin e rekursit, duke mos e marrë në shqyrtim atë.

Paraqitja e ankimit ne Gjykatën e Lartë nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të ankimuar. Përjashtimisht, me kërkesë të palëve, Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin e vendimit vetëm në qoftë se:

  • • Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme, dhe;
  • • Pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.

Rekursi paraqitet dhe depozitohet në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin. Në praktikë ankimet depozitohen pranë gjykatës së rrethit, e cila ka dhënë vendimin e parë sepse është kjo gjykatë që bën menaxhimin e dosjes gjyqësore.

Në rekurs duhet të shënohet se cilat janë palët ndërgjyqëse (identiteti i tyre, vendbanimi etj), numri dhe dita e vendimit që kundërshtohet dhe cila gjykatë e ka dhënë, të paraqiten në mënyrë të përmbledhur faktet e çështjes, shkaqet për të cilat ankohet pala, duke iu referuar normave ligjore mbi të cilat mbështetet, dhe nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga pala në proces.

Kërkesa për rishikim

Një mjet tjetër ankimi në Gjykatën e Lartë është edhe kërkesa për rishikim, që mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga dita që pala ka marrë dijeni për shkakun e rishikimit, por në çdo rast jo më vonë se një vit nga data që ka lindur shkaku i rishikimit. Në raste të tjera kërkesa për rishikim mund të bëhet brenda 30 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.

3.1.3 Të drejtat e palëve në proces

Palët në një proces gjyqësor civil kanë të drejtën për të kërkuar përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues, në rastet kur:

  • • gjyqtari ka interes në çështjen që shqyrtohet ose për mosmarrëveshje të tjera që kanë lidhje me çështjen në gjykim;
  • • gjyqtari ose bashkëshorti i tij është i afërm i njërës prej palëve në proces;
  • • gjyqtari paraprakisht ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim;
  • • për çdo lloj arsye tjetër e cila krijon bindjen se gjyqtari nuk do të jetë i paanshëm.

Paditësi ka të drejtë që në çdo fazë të gjykimit të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast gjykata vendos pushimin e gjykimit të çështjes.

Paditësi ka të drejtën që t'i kërkojë gjykatës marrjen e masave për sigurimin e padisë në ato raste kur ka arsye të bazuara për të dyshuar se ekzekutimi i vendimit do të bëhet i pamundur ose i vështirë. Sigurimi i padisë do të thotë që gjykata të urdhërojë kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar gjatë kohës që zhvillohet gjykimi.

Po ashtu, secila nga palët ka të drejtë t'i kërkojë gjykatës të marrë masa për sigurimin e një prove e cila rrezikon të zhduket ose marrja e së cilës në të ardhmen mund të bëhet e pamundur ose e vështirë. Kjo në rastet kur prova ka rëndësi themelore për zgjidhjen e çështjes.

Palët në gjykimin civil kanë të drejtë të paraqesin provat të cilat provojnë pretendimet përkatëse, të tilla si: thirrja e dëshmitarëve, paraqitja e provave shkresore, kryerja e ekspertimeve, etj.

Personat që nuk njohin gjuhën shqipe kanë të drejtë të përdorin në gjykim gjuhën e tyre dhe të njihen me provat dhe me gjithë zhvillimin e gjykimit nëpërmjet përkthyesit.

Çdo qytetar ka të drejtë të ndjekë një proces gjyqësor civil, me përjashtim të rasteve kur gjykata vendos që gjykimi të bëhet me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së një sekreti shtetëror dhe rendit publik, përmendjes së rrethanave të jetës intime të pjesëmarrësve në gjykim, apo të ruajtjes së sekretit tregtar apo shpikjeve.

3.1.3. Sekretaria e Gjykatës

Sekretaria e Gjykatës ka këto kompetenca:

  • • pranon dokumentet dhe aktet proçeduriale. Ajo shpërndan paditë pas hedhjes së shortit, merr në dorëzim dosjet pas përfundimit të gjykimit dhe bën kalimin në arkivë të dosjeve gjyqësore;
  • • vërteton aktet e gjykatës dhe lëshon vërtetime apo kopje të njësuara me origjinalin të akteve procedurale gjyqësore. Kur përdoren pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme, sekretari garanton që regjistrimi ose riprodhimi është origjinal dhe i paprekur;
  • • është përgjegjëse për krijimin e dosjeve dhe ndihmon gjyqtarin për mbajtjen e dosjeve sipas një rregulli të caktuar, si dhe për regjistrimin dhe zbatimin e urdhrave të shpallur apo të nxjerrë nga gjykatat dhe gjyqtarët;
  • • ndihmon në mbajtjen e regjistrave, si dhe për regjistrimet në regjistra dhe ndihmon në mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve teknike, audiovizive dhe kompjuterike atje ku këto janë të disponueshme.

3.2. RRUGA QË NDJEK ÇËSHTJA PENALE

Ky nënkapitull prezanton në mënyrë koncize, rrugëtimin e një çështje penale, që në momentin e ndodhjes së ngjarjes, procesin hetimor nga Prokuroria, procesin penal si dhe dhënia e vendimit gjyqësor.

3.2.1. Hetimi penal

Ndjekja penale, kryerja e hetimeve dhe ngritja e akuzës për një vepër penale në gjykatë është në kompetencë të organit të akuzës, prokurorisë, përveç rasteve kur akuzues është i dëmtuari akuzues për disa vepra të posaçme me rrezikshmëri të ulët.

Prokuroria merr dijeni për veprën penale me iniciativën e vet, me njoftimin nga policia ose dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

Policia gjyqësore

Policia vepron:

  • • me iniciativën e vet.

Ajo, edhe me iniciativën e vet, duhet të marrë dijeni për veprat penale, të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kërkojë autorët e tyre, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal. Policia gjyqësore përgjigjet përpara prokurorit për veprimtarinë e kryer prej saj gjatë procedimit penal.

  • • me urdhër të Prokurorit.

Policia gjyqësore kryen çdo veprim hetimor që i është urdhëruar ose deleguar nga prokurori. Policia gjyqësore kryen detyrat që i janë caktuar nga prokurori dhe e njofton atë menjëherë mbi rezultatet e tyre.

Funksionet e policisë gjyqësore kryhen nga:

  • a) oficerët e policisë gjyqësore që u përkasin organeve, të cilëve ligji u ngarkon detyrën për të kryer hetime, që nga çasti që marrin dijeni për veprën penale. Këtu përfshihen punonjës të Ministrisë së Brendshme, oficerët e policisë ushtarake, financiare, pyjore dhe çdo policie tjetër;
  • b) seksionet e policisë gjyqësore të krijuara pranë çdo prokurorie rrethi dhe të përbëra nga një personel i policisë gjyqësore;
  • c) byroja kombëtare e hetimit pranë prokurorisë së posaçme;
  • d) shërbimet e policisë gjyqësore të parashikuara me ligj.

Prokuroria

Prokuroria ushtron funksionet e saj në mënyrë të pavarur, si më poshtë:

  • a) ushtron ndjekjen penale;
  • b) përfaqëson akuzën në gjykatë, në emër të shtetit;
  • c) merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale;
  • d) drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Policisë Gjyqësore;
  • e) kryen detyra të tjera.

Prokuroria organizohet dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor dhe përbëhet nga:

  • a) Prokuroria e Përgjithshme;
  • b) Prokuroria me juridiksion të përgjithshëm;
  • c) Prokuroria e Posaçme.

Prokuroria e Përgjithshme

Prokurori i Përgjithshëm është organi më i lartë i prokurorisë dhe zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Prokurori i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca:

  • a) përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme;
  • b) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe mbikëqyr zbatimin e tyre;
  • c) siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm;
  • d) propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm;
  • e) raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit;
  • f) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për oficerët e Policisë Gjyqësore, në përputhje me ligjin;
  • g) përcakton strukturën e përgjithshme dhe rregulloren standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe miraton organikën dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme;
  • h) përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët dhe ndihmën e ndërsjellë në çështje penale të juridiksionit të përgjithshëm;
  • i) kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë;
  • j) drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Policisë Gjyqësore;
  • k) kërkon fillimin e hetimeve për shkeljet disiplinore dhe ankesat ndaj oficerëve të Policisë Gjyqësore;
  • l) i dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë;
  • m) i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale;
  • n) administron sistemin e përgjimeve, sipas legjislacionit në fuqi;
  • o) kryen detyra të tjera, të parashikuara në ligj.

Prokuroria me juridiksion të përgjithshëm

Prokuroritë që funksionojnë pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm janë të dy niveleve sipas gjykatës pranë të cilës ato i ushtrojnë kompetencat, si më poshtë:

  • 1. Prokuroritë pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm. Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate apeli të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët e apelit. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse.
  • 2. Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm. Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët pranë gjykatës së shkallës së parë. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse.

Prokuroria e Posaçme

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme si dhe para Gjykatës së Lartë.

Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.

Prokuroria e Posaçme është e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme. Këto organe, së bashku me gjykatat e posaçme me juridiksion veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë krijuar së fundmi me ligje të posaçme në kuadër të reformës për drejtësi dhe në kohën e hartimit të këtij manuali ende nuk kanë filluar funksionimin e tyre.

Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Prokurori i Prokurorisë së Posaçme shkarkohet për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një shkeljeje të rëndë disiplinore me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kandidati për prokuror, oficer i hetimit, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe familjarët e afërm të tij, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve personale, sipas ligjit.

Prokuroria e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ushtron funksionet për veprat penale të mëposhtme:

  • • Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike;
  • • Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë;
  • • Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë;
  • • Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
  • • Përfitimi i paligjshëm i interesave;
  • • Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike;
  • • Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit;
  • • Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë;
  • • Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare;
  • • Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj;
  • • Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja;
  • • Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë;
  • • Çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
  • • Akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;
  • • Akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
3.2.2. Procesi gjyqësor penal

Pas ngjarjes që përbën fakt penal për nisjen e hetimit, ai nis gjithmonë me mbikëqyrjen e prokurorisë, në dy mënyra:

  • • kryesisht;
  • • me kërkesë të viktimës.

Prokurori në përfundim të hetimeve vendos:

  • • të mos fillojë procedimin;
  • • të pushojë hetimin mbi çështjen;
  • • t’i kërkojë gjykatës pushimin e akuzës ose çështjes;
  • • të dërgojë çështjen në gjyq.

Prokurori kur vendos të dërgojë çështjen për gjykim mund të veprojë si vijon:

  • • mund të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me të pandehurin që bashkëpunon me drejtësinë [v] ;
  • • mund të arrijë një marrëveshje mbi kushtet për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit;
  • • mund të paraqesë në gjykatë kërkesë për miratimin e urdhrit penal sipas parashikimeve të këtij Kodi.

Procesi gjyqësor penal fillon në bazë të depozitimit në gjykatë të kërkesës së prokurorit ose të viktimës akuzuese (në rastet e disa krimeve me rrezikshmëri të ulët që nuk janë në kompetencë të prokurorit). Kryetari i trupit gjykues i ngarkuar për gjykimin e çështjes, brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesës, cakton datën e seancës gjyqësore. Data e seancës i njoftohet prokurorit, të pandehurit, mbrojtësit, viktimës, palëve private dhe përfaqësuesve të tyre të paktën 10 ditë para datës së caktuar për gjykim.

Në seancën e parë (quhet ndryshe seanca paraprake), kur janë kushtet e parashikuara në ligj prokurori mund të kërkojë gjykimin e drejtpërdrejtë kurse i pandehuri gjykimin e shkurtuar.

Para fillimit të procesit penal, (seancës gjyqësore) gjatë seancës paraprake, i pandehuri ose përfaqësuesi i tij i posaçëm kanë të drejtë të kërkojnë gjykim të shkurtuar pra që çështja të përfundohet në gjendjen që janë aktet. Në rast se kërkesa pranohet, gjykata ul dënimin me një të tretën, ndërsa në rastin e dënimit me burgim të përjetshëm gjykimi i shkurtuar nuk lejohet.

Prokurori ka të drejtë të kërkojë gjykim të drejtpërdrejtë kur i pandehuri është arrestuar në flagrancë ose kur gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit ai e ka pohuar dhe fajësia e tij është e qartë.

Për rastet që kërkohet sigurimi i provës gjykata me kërkesën e palëve urdhëron marrjen e provave të cilat më vonë rrezikohen të mos merren. Palët që kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve duhet të depozitojnë në sekretarinë e gjykatës, të paktën pesë ditë para datës së caktuar për gjykim, listën e tyre.

Në rastin e veprave që ndiqen me kërkesën e viktimës akuzuese, Gjykata thërret viktimën/trashëgimtarët e tij dhe atë kundër të cilit është bërë kërkesa për gjykim dhe u propozon zgjidhjen e çështjes me pajtim. Në rast se i dëmtuari e tërheq kërkesën dhe ai që akuzohet e pranon tërheqjen, gjykata vendos pushimin e çështjes në të kundërt ajo cakton datën e seancës dhe u bën të njohur atyre se mund të ndihmohen nga një mbrojtës.

Seanca gjyqësore është publike përndryshe quhet e pavlefshme, por Gjykata mund të vendosë që shqyrtimi gjyqësor ose disa veprime të tij të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Drejtimi i seancës bëhet nga kryetari i trupit gjykues, urdhrat e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë janë të detyrueshme për palët dhe pjesëmarrësit dhe të zbatueshme nga organet e rendit.

Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë gjyqësore, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës, por ajo mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor vetëm për arsye të veçanta deri në 15 ditë. Hetimi gjyqësor fillon me marrjen e provave të kërkuara nga prokurori ose i dëmtuari akuzues dhe vazhdon me marrjen e atyre që kërkohen nga i pandehuri mbrojtësi dhe palët e tjera.

Pas marrjes së provave, prokurori, mbrojtësi i të pandehurit dhe përfaqësuesit e palëve të tjera, formulojnë dhe parashtrojnë konkluzionet përkatëse (diskutimi përfundimtar). Prokurori, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve, mund të bëjnë replikë. Diskutimi përfundimtar nuk mund të ndërpritet për të marrë prova të reja përveçse kur gjykata e çmon të domosdoshme.

Pas mbarimit të seancës gjyqësore dhe shqyrtimit të çështjes, gjykata thërret palët për diskutimin përfundimtar, pas të cilave, gjykata tërhiqet për marrjen e vendimit i cili mund të jetë:

  • • vendim për pushimin e çështjes;
  • • vendim pafajësie;
  • • vendim dënimi për të pandehurin.
3.2.3. Ankimi i Çështjeve Penale

Në vijim trajtohen disa rregulla lidhur me ankimet në procesin penal, të cilat përfshijnë:

  • • Ankimi në Gjykatën e Apelit;
  • • Rekursi në Gjykatën e Lartë.

Ankimi në Gjykatën e Apelit

Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit për palët që kanë qenë prezent në seancë, ose brenda 10 ditëve nga momenti i njoftimit të vendimit të gjykatës, për palët që kanë qenë në mungesë në momentin e shpalljes së vendimit. Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Kryetari i Kolegjit të Gjykatës së Apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre.

Afati i paraqitjes së tyre nuk mund të jetë më i vogël së dhjetë ditë. Gjykata e Apelit mund të vendosë marrjen e provave të reja ose përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor, ajo vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor kur vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në shkallë të parë sepse nuk ka marrë dijeni. ose nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe ligjore.

Gjykata e Apelit mbasi shqyrton ankimin në një çështje penale mund të vendosë:

  • a) Lënien në fuqi të vendimit;
  • b) Ndryshimin e vendimit;
  • c) Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes kur janë raste qe nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit ose kur nuk vërtetohet fajësia e të pandehurit;
  • d) Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të të dëmtuarit akuzues dhe të mbrojtësit të të pandehurit, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

Rekursi në Gjykatën e Lartë

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Lartë, e cila shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura, por për çështje ligjore që duhet të shihen kryesisht nga gjykata në çdo gjendje e shkallë të procesit, të cilat nuk janë parë, pa diskutuar mbi faktet dhe vlerësimin e provave të bëra nga gjykatat më të ulëta.

Nëse rekursi nuk është ngritur për shkaqe që kanë të bëjnë me zbatimin e gabuar të ligjit ose shkelje të rënda procedurale, Gjykata e Lartë vendos mospranimin e rekursit, duke mos e marrë në shqyrtim atë. Në rast të kundër Gjykata e Lartë e merr në shqyrtim rekursin dhe nis gjykimin e tij.

Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë zbatohen të gjitha normat, që lidhen me publicitetin, rregullin e seancës dhe me drejtimin e diskutimit, si në gjykatën e shkallës së parë.

Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Lartë vendos:

  • a) Lënien në fuqi të vendimit ndaj të cilit është bërë rekurs;
  • b) Ndryshimin e vendimit për cilësimin ligjor të veprës për llojin dhe masën e dënimit për pasojat civile të veprës penale;
  • c) Prishjen e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim;
  • d) Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rishqyrtim.
3.2.4. Të drejta e të pandehurit në procesin penal

Në procesin gjyqësor penal një nga të drejtat themelore të të pandehurit është se ai ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit dhe kur nuk ka mjete të mjaftueshme financiare i sigurohet mbrojtja falas me avokat. I pandehuri ka të drejtë të zgjedhë jo më shumë se dy mbrojtës.

Personat të cilët dëmtohen nga njëra prej këtyre veprave penale: Rrahja, Plagosja e rëndë nga pakujdesia, Plagosja e lehtë nga pakujdesia, Dhunimi i banesës, Fyerja, Shpifja, Ndërhyrje të padrejta në jetën private, Përhapja e sekreteve vetjake, Mosdhënia e mjeteve për jetesë, Marrja e padrejtë e fëmijës, Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet, Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit, Shkelja e paprekshmërisë së banesës, kanë të drejtë t’i drejtohen drejtpërdrejt gjykatës dhe të marrin pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

Secila nga palët në procesin gjyqësor penal ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e njërit ose të të gjithë anëtarëve të trupit gjykues në rastet kur gjyqtari:

  • • ka interes për çështjen;
  • • është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit;
  • • ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim mbi objektin e procedimit;
  • • ndonjë prej të afërmve të tij ose të bashkëshortit të tij është cenuar apo dëmtuar nga vepra penale;
  • • kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie.

Deri në datën e caktuar për gjykim palët mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara, të shqyrtojnë në sekretari aktet dhe dokumentet e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor, si dhe të nxjerrin kopje të tyre.

I pandehuri, edhe kur është me masë sigurimi, ose kur i është hequr liria për çdo lloj shkaku tjetër, ka të drejtë të merret në pyetje i lirë.

I pandehuri ka të drejtë të mos i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e gjykatës ose nga ana e prokurorit, po kështu ka të drejtë të kërkojë nga gjykata marrjen e provave që janë në favor të tij.

I pandehuri i mitur ka të drejtë të kërkojë ndihmë juridike dhe psikologjike në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.

Në procesin penal i pandehuri ka të drejtë të kërkojë ose të japë pëlqimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë të tij.

Gjatë procesit gjyqësor penal palët kanë të drejtë të kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve, t'u drejtojnë atyre pyetje me qëllim për të vërtetuar fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit.

3.3. RRUGA QË NDJEK ÇËSHTJA ADMINISTRATIVE

Gjykimi administrativ është i ngjashëm me gjykimin civil dhe ndjek të njëjtat parime.

3.3.1. Ngritja e padisë

Ai fillon me dorëzimin e një padie në gjykatë nga çdo person sipas rasteve më poshtë:

  • a) çdo subjekt që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim apo mosveprim i organit publik;
  • b) organi i administratës publike, që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk ka lidhje varësie hierarkike. Në këtë rast, organi shtetëror mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës dhe/ose shfuqizimin e aktit;
  • c) nëpunësit publik për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës;
  • d) çdo subjekt që pretendon se është cenuar në të drejtat dhe interesat e tij të ligjshëm për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme të organit publik, që nuk kanë formën e aktit administrativ;
  • e) çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik nga një akt normativ ose nga një akt administrativ, në rast se një e drejtë e tillë u njihet me ligj;

Pas hedhjes në short dhe caktimit të trupit gjykues që do të gjykojë çështjen, njoftohen palët dhe caktohet seanca paraprake gjatë së cilës gjyqtari kryesues, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së padisë, kryen këto veprime:

  • a) I kërkon paditësit plotësimin e të metave të padisë, duke i caktuar atij një afat, deri në 10 ditë. Kur paditësi nuk plotëson të metat e padisë, brenda afatit të caktuar, gjyqtari jep vendim për kthimin e padisë dhe të akteve, që i bashkëlidhen asaj. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë;
  • b) I njofton të paditurit padinë dhe aktet shoqëruese të saj, duke i caktuar atij një afat, deri në 10 ditë nga data e marrjes së këtij njoftimi, për depozitimin në sekretari të prapësimeve me shkrim, të listës së personave, që i padituri kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e dëshmitarit apo të ekspertit dhe adresat e tyre, si dhe të akteve të plota shkresore, në të cilat janë bazuar kryerja e veprimit administrativ dhe shqyrtimi i ankimit administrativ. Në rastin e padisë me të meta, gjyqtari e dërgon këtë njoftim për të paditurin, në datën e plotësimit të të metave nga paditësi;
  • c) Merr vendim për kryerjen e ekspertimit kur çmon se për zgjidhjen e çështjes ka nevojë për njohuri të posaçme. Në këtë vendim ai përcakton fushën e ekspertimit, ekspertin nga lista e gjykatës, detyrat përkatëse, si dhe afatin e kryerjes së ekspertimit, i cili, si rregull, nuk mund të jetë më i gjatë se 20 ditë.
  • d) Kryen edhe veprime të tjera të domosdoshme për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Të gjitha këto veprime të gjyqtarit kryesues kryhen me vendime të ndërmjetme dhe dokumentohen në procesverbalin e veprimeve përgatitore, që përpilohet nga sekretari gjyqësor dhe nënshkruhen prej tij dhe gjyqtarit kryesues.

Mosparaqitja e palëve në veprime përgatitore, në ndryshim nga çështjet civile, nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes, edhe kur ata janë thirrur dhe njoftuar rregullisht. I njëjti rregull vlen edhe për mosparaqitjen e palëve në seancat e mëpasshme.

3.3.2. Seanca gjyqësore në shkallën e parë

Pas këtyre veprimeve çështja kalon në seancë gjyqësore. Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore bëhet me shkrim, por palët mund të kërkojnë të parashtrojnë me gojë shpjegimet e tyre. Në këtë rast gjykata udhëzon palët që të citojnë vetëm çështjet faktike dhe ligjore që sipas mendimit të saj janë të rëndësishme për dhënien e vendimit edhe nëse ato nuk ishin referuar në kërkesëpadinë e paraqitur në parë.

Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore është i hapur për publikun. Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e mediave dhe të publikut në seancë gjyqësore ose në një pjesë të saj, me arsyetimin e mbrojtjes së moralit publik, rendit publik, të sigurisë kombëtare, të sekretit tregtar, të së drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata disponon mbi kërkesë padinë me dy forma:

  • 1. Me vendime jopërfundimtare. Të tilla janë vendimi i pushimit dhe vendimi i mospranimit të padisë;
  • 2. Me vendime përfundimtare, ku Gjykata vendos pranimin e plotë ose të pjesshëm të padisë, ose rrëzimin e padisë.
3.3.3. Ankimi i çështjeve administrative

Vendimet e gjykatës së shkallës së parë janë të ankimueshme në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.

Për disa lloje çështjesh nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës së shkallës së parë, si në rastin e padive me objekt:

  • a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
  • b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
  • c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
  • d) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.

Në ndryshim nga gjykimet civile, gjykimi në Gjykatën Administrative të Apelit bëhet në dhomë këshillimi, nga një trup gjyqësor me tre anëtarë, mbi bazë dokumentesh dhe pa prezencën e palëve, përveç rasteve të veçanta kur për shkak të kompleksitetit të çështjes gjykata vendos të zhvillojë seancë dëgjimore me palët.

Gjykata Administrative e Apelit, pasi shqyrton çështjen në seancë gjyqësore, vendos:

  • a) lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
  • b) ndryshimin e vendimit;
  • c) prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;
  • d) prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën administrative të shkallës së parë.

Kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimit të gjykatës së shkallës së parë, palët kanë të drejtë të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë vetëm në rast se [vi] :

  • a) për zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural, të një rëndësie themelore për njehsimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
  • b) kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika e Kolegjit Administrativ ose e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
  • c) ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit.

Shqyrtimi i rekursit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë si rregull bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomë këshillimi. Gjyqtari relator cakton datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi, duke urdhëruar njoftimin e palëve. Sekretaria e gjykatës njofton, sipas rregullave të përcaktuara për gjykimin në shkallë të parë dhe me shpallje, ditën dhe orën e shqyrtimit të rekursit, si dhe përbërjen e trupit gjykues të paktën 21 ditë përpara. Gjykata, në dhomë këshillimi, vendos shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve në rast se:

  • a) rekursi është paraqitur ndaj një vendimi të apelit administrativ, lidhur me gjykimin e aktit nënligjor normativ;
  • b) konstaton se vendimi i apelit administrativ është i ndryshëm nga praktika e kolegjit administrativ ose edhe e kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë;
  • c) vlerësohet e nevojshme nga kolegji administrativ thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të problematikës ose kompleksitetit të çështjes.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrton çështjen në dhomë këshillimi ose seancë gjyqësore, vendos:

  • a) mospranimin e rekursit, në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon ligji;
  • b) prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
  • c) prishjen e vendimit të apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit me tjetër trup gjykues;
  • d) prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes;
  • e) prishjen e vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit dhe të gjykatës administrative të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë me tjetër trup gjykues;
  • f) ndryshimin e vendimeve të shkallës së parë dhe të apelit;
  • g) lënien në fuqi të vendimit të apelit.

3.4 EKZEKUTIMI I VENDIMEVE

Një vendim përfundimtar, do të mbetej një deklaratë e thjeshtë për të drejtat dhe detyrimet e palëve në rast se palët nuk do të kishin mundësinë për ta vënë në zbatim vendimin me anë të përdorimit të forcës shtrënguese të shtetit. Në këtë kuptim, ekzekutimi i vendimit gjyqësor është pjesë integrale e procesit gjyqësor dhe cenimi i kësaj së drejte përbën cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Mënyra e ekzekutimit të tyre detajohet në vijim në varësi të llojit të vendimit nëse ai është civil apo penal.

3.4.1. Ekzekutimi i Vendimeve Civile dhe Administrative

Ekzekutimi i Vendimeve të formës së prerë, të dhëna nga gjykatat civile dhe nga gjykatat administrative mund të bëhet në dy mënyra:

  • • Vullnetarisht. Në këtë rast kreditori (fituesi i gjyqit) i drejtohet me një kërkesë debitorit (humbësi i gjyqit), për ekzekutim vullnetar të vendimit.
  • • Me forcë. Në rast se debitori refuzon ekzekutimin e vendimit, atëherë debitori i kërkon zyrës së përmbarimit, të ndërhyjë për ekzekutimin e vendimit.

Zyra e Përmbarimit është një shërbim i liberalizuar. Përveç zyrës së përmbaruesit shtetëror, që nga viti 2008, kjo zyrë funksionon edhe si shërbim privat.

Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor (shtetëror), ka organizim të centralizuar me shtrirje në të gjitha rrethet gjyqësore, nën drejtimin e një Drejtori të Përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Ai është përgjegjës për menaxhimin, koordinimin dhe kontrollin e kësaj zyre. Çdo Zyrë Përmbarimi në rrethe gjyqësore ka një drejtor, i cili menaxhon stafin dhe zyrën. Numri i përgjithshëm i përmbaruesve gjyqësorë të shërbimit të përmbarimit caktohet nga Kryeministri me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme dhe e zyrave përmbarimore, organikat e tyre, si dhe rregullat e hollësishme për funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, përcaktohen nga Ministri i Drejtësisë me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm.

Shërbimi përmbarimor privat u krijua dhe ushtron veprimtarinë e tij sipas ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat” [vii] . Ky shërbim përbëhet nga operatorët privatë të certifikuar për këtë qëllim, të cilët respektojnë të njëjtat rregulla procedurale si shërbimi përmbarimor shtetëror, referuar në Kodin e Procedurës Civile, me dallimin e vetëm se shërbimi privat ka juridiksion veprimtarie për të gjithë territorin e vendit dhe është i organizuar brenda Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor Privatë [viii] , ndërsa ai shtetëror ka kompetenca juridiksioni lokale sipas ndarjes (zyrat vendore) dhe varet direkt nga Ministria e Drejtësisë (Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit [ix] ).

Zyra e Përmbarimit ka për detyrë të ekzekutojë vendimet gjyqësore të formës së prerë, të cilët quhen “tituj ekzekutiv”. Një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë quhet i formës së prerë, kur kundër tij nuk është bërë ankim brenda afateve ligjore, ndërsa vendimet e Gjykatës së Apelit quhen të formës së prerë për efekte ekzekutimi edhe nëse kundër tyre bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, përjashto rastet kur Gjykata e Lartë mund të pezullojë ekzekutimin e tyre gjatë kohës që shqyrton rekursin.

Procesi i ekzekutimit fillohet nga kreditori (ose avokati i tij), i cili i kërkon Zyrës së Përmbarimit të fillojë procesin e ekzekutimit.

Ndërsa ekzekutimi i vendimeve të dhëna nga gjykatat administrative kanë një specifikë tjetër nga ai i vendimeve civile. Në këto lloj gjykimesh, gjyqtari i Gjykatës Administrative me kërkesën e palëve ose të përmbaruesit gjyqësor edhe gjatë fazës që çështja është duke u trajtuar nga shërbimi përmbarimor, mund të urdhërojë kryerjen e veprimeve të posaçme dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme, duke përcaktuar afatet dhe mënyrën e kryerjes së tyre. Në ndryshim nga procedura civile në atë administrative, është parashikuar edhe fakti që gjyqtari ndjek procesin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor që ai vetë ka shpallur. Kështu, në përfundim të afatit të ekzekutimit të detyrueshëm, gjyqtari njoftohet me shkrim nga përmbaruesi gjyqësor për veprimet e kryera nga organi publik debitor dhe në rast se konstaton moskryerje me faj të detyrimeve dhe pa shkaqe të përligjura, sipas vendimit apo urdhrave të gjykatës, vendos gjobë ndaj titullarit të organit publik debitor. Kur është rasti, gjyqtari kërkon marrjen e masave disiplinore ose paraqet kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Ky është një ndryshim thelbësor nga praktika e procedurës civile.

3.4.2. Ekzekutimi i Vendimeve Penale

Vendimet penale janë të ekzekutueshme sipas llojit të dënimit që parashikohen në to, nga dy institucione:

  • • Institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim;
  • • Zyra e shërbimit të provës.

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve

Në këto institucione akomodohen të paraburgosurit dhe të dënuarit me burgim me vendim së formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare edhe të gjykatave të huaja.

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim përfshijnë:

  • • Institucionin e paraburgimit;
  • • Burgun e sigurisë së lartë;
  • • Burgun e zakonshëm;
  • • Burgun e sigurisë së ulët;
  • • Institucionet e veçanta.

Institucionet e paraburgimit janë institucionet ku mbahen individët, ndaj të cilëve është dhënë nga gjykata masa e sigurimit “arrest në burg”, por ende nuk është marrë ndaj tyre një vendim i formës së prerë.

Burgu i sigurisë së lartë është institucioni ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të krimit të organizuar dhe të dënuar të tjerë të cilët në kryerjen e veprës penale ose gjatë vuajtjes së dënimit janë karakterizuar nga qëndrime e sjellje që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera. Vendosja e të dënuarit në burgun e sigurisë së lartë kur nuk është shprehur gjykata me vendim, bëhet me kërkesë të prokurorit tek ajo gjykatë.

Burgjet e sigurisë së zakonshme janë institucionet ku vuhet dënimi nga të gjithë të dënuarit, me përjashtim të atyre, që vendosen në burgjet e sigurisë së lartë, në burgjet e sigurisë së ulët dhe në institucione të veçanta. Kur gjykata, në vendimin me burgim nuk është shprehur për llojin e institucionit ku do të vuhet dënimi, të dënuarit vendosen në një burg të sigurisë së zakonshme.

Burgjet e sigurisë së ulët janë institucionet ku vuhet dënimi për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim.

Institucionet e posaçme janë të ndryshëm sipas specifikave. Institucionet mjekësore të posaçme jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe seksionet mjekësore të posaçme brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale shërbejnë për mjekimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor. Vendet e dënimit për gratë dhe të miturit janë institucione ku gratë dhe të miturit rregullisht e vuajnë dënimin. Në pamundësi, kjo kategori e vuan dënimin në seksione të veçanta të institucioneve të tjera sipas kritereve të përcaktuara me ligj.

Zyra e shërbimit të provës

Shërbimi i Provës është zyra që ndjek dhe mbështet zbatimin e dënimeve alternative me qëllim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes së veprave penale, asistimin e personit të dënuar gjatë kryerjes së dënimit alternativ në përmbushjen e detyrimeve dhe kushteve që rrjedhin nga ky dënim, si dhe në kapërcimin e vështirësive për riintegriminin e tij shoqëror.

Dënimi alternativ është dënimi që jepet nga gjykata për t'u ekzekutuar në vend të dënimit kryesor, të tillë si:

  • • vendimi i lirimit me kusht;
  • • vendimi për kryerjen e një pune në interes publik;
  • • vendimi për ekzekutimin e vendimit me qëndrim në shtëpi;
  • • vendimi për të detyruar mjekimin apo rehabilitimin;
  • • vendimi për detyrime financiare;
  • • vendimi për të ushtruar një veprimtari profesionale ose për të marrë një formim profesional;
  • • vendimi për pezullimin e dënimit dhe vënien në provë të të dënuarit.

Shërbimi i Provës bashkëpunon dhe paraqet informacion dhe raporte para prokurorisë dhe gjykatës sipas parashikimeve ligjore. Ky shërbim përcakton metodat e zbatimit të dënimit alternativ në përputhje me parashikimet ligjore. Kur është e nevojshme, Shërbimi i Provës bashkëpunon me institucione shtetërore, qendrore apo lokale, me komunitetin lokal, si dhe me institucione të tjera dhe organizata jofitimprurëse për zbatimin e dënimeve alternative.